Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kanë qenë në pritje të ardhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli nga Haga për zgjedhje të brendshme, shkruan Insajderi
Hoxhaj, i ftuar në emisionin ‘Pressing’, ka thënë së në debatin që ka pasur me degët e kryesinë qendrore të partisë kanë shprehur nevojën e një kryesie të re.
Megjithatë, kryesia e PDK’së ka vendosur që të zgjedhet kryesia e re më 3 korrik në kuadër të Konventës zgjedhore.
“Në kuadër të debatit që e kemi pasë për zgjedhjet lokale është menduar se për PDK’në do ishte një ngjarje mobilizuese zgjedhja e një lidershipi të ri. Natyrisht që ne e kemi situatën krejt tjetër, ne nuk kemi mbërri që të marrim vendim menjëherë pas zgjedhjeve qëndrore të themi që ne do ta zgjedhim kryetarin, për shkak të pikënisjes komplet tjetër e PDK’së. Pikënisja tjetër është që kryetari Veseli është në gjykatë, bashkë me ish-kryetarin Thaçi. Kemi pritë që të mbrohen në liri në Kosovë, ky do të ishte një mobilizim i ri për elektoratin e PDK’së”, ka deklaruar ai.
PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish -kryetarit Kadri Veseli.
Veseli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që nga atëherë është Enver Hoxhaj./Insajderi.com