Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Izbicës në Drenicë, ku u vranë 147 persona, njofton Insajderi.
Siç shkruan Hoxhaj në llogarinë e tij në Facevook, ai me bashkëpunëtorë sot ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë.
I pari i PDK-së tutje ka shkruar se Kosova asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi, derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre.
“Duke e ditur që ditëve të tyre në Kosovë po u vinte fundi, forcat paramilitare serbe, të orkestruara dhe të urdhëruara për të realizuar gjenocid nga kokat e një regjimi kriminal si ai i Millosheviçit, me 28 mars 1999 ia mësynë Izbicës së Drenicës, për të plaçkitur, vrarë e deportuar qindra shqiptarë”, ka shkruar Hoxhaj.
“Atë ditë, në Izbicë u vranë e masakruan 147 persona, mes tyre burra, gra e pleq dhe u deportuan në Shqipëri mijëra të tjerë. Sot, me bashkëpuntorë e miq, ishim në Izbicë, në tokën e gjakut, për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e martirëve tanë. Kosova asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi – derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre”. /Insajderi.com