Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se pret nga Lëvizja Vetëvendosje që të inicojë një proces më serioz për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, njofton Insajderi.
Sipas tij, LVV-ja nuk është serioze për “t’i dhënë fund” qeverisë, ndërsa shtoi se janë në pritje të ftesës për takim.
“Vetëvendosje nëse është e interesuar që t’i jap fund kësaj qeverie, duhet të jetë serioze dhe të na bëjë ftesë për takim. Ne nuk e kemi nisur mocionin dhe nuk i marrim vendimet në studio televizive. Le të bëjnë ftesë dhe takohemi”, tha Hoxhaj gjatë një konference për media.
Më tej, i pari i PDK-së pohoi se janë duke pritur ftesë nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për të diskutuar çështjen e presidentit.
“Vetëm z. Mustafa për neve është partnerë, dhe ai është parterë për neve është në raport me partitë tjera, sepse në jemi opozitë ata janë në qeveri. Kur flasim me të ne flasim edhe më AAK-në dhe Nismën”, tha ai.
Megjithatë, Hoxhaj ka përsëritur qëndrimin e partisë se për president votojnë vetëm kandidatin e saj dhe jo të partive të tjera.
“Qasja jonë është e qartë, ne duam që vendi mos të mbetet pa kreun shtetëror, që Kosova të ketë president dhe jemi të gatshëm si opozitë të japim kontributin tonë. Nëse kërkojnë votat tona, qëndrimi është që Presidenti duhet të jetë nga PDK-ja. Presidentin e zgjedhim tani pa shkuar në zgjedhje, por atë duhet ta zgjedhim edhe nëse shkojmë në zgjedhje. Kjo s’nënkupton raport tonin të ri me qeverinë, por vetëm sjellje shtetërore”, tha ai./Insajderi.com