Hoxhaj premton digjitalizim të procesit mësimor

Hoxhaj premton digjitalizim të procesit mësimor

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kanididati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeveritë e kaluara atë të udhëhequr nga Albin Kurti dhe qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Avdyllah Hoti, të cilat thotë se e kanë nëpërkëmbur arsimin, njofton Insajderi.

Sipas tij, këto dy qeveri nuk kanë ditur ta menaxhojnë mësimin online gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa është shprehur se PDK-ja do ta rimëkëmbë duke i rritur pagat për mësimdhënësit e të gjitha niveleve.

“Qeveria e udhëhequr nga unë do t’i rrisë pagat për arsimtarët në 650 euro, pagat për profesorët e shkollave të mesme në 700 euro, pagat për profesorët universitare në 1800 euro. Qeveria e udhëhequr nga unë do ta rrisë buxhetin për kërkim dhe zhvillim në 20 milion euro, do ta rimëkëmbë dinjitetin e arsimtarëve dhe profesorëve.”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala, ka thënë se programi i PDK-së për arsim ka për mision krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave konkrete vepruese si dhe krijimin e kushteve te përshtatshme për punë.

“Ky program ne fazën e parë përfshinë reagimin e shpejte në përmirësimin e procesit mësimor si pasoje e keqqeverisjes në kushte pandemie te dy qeverive të fundit ku me veprime konkrete do të bëhet funksionalizimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sigurimi i pajisjeve të nevojshme për mbarëvajtje të mësimit në distancë, zbatimi dhe mirëmbajtja e Sistemit për Menaxhimin e Mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mbarëvajtjen e mësimit në distancë apo virtual, rritja e stafit mbështetës në shkolla, zbatimi i konceptit Hibrid të klasave me rotacion ku gjysma e nxënësve ndjekin mësimin fizikisht dhe gjysma tjetër ndjekin mësimin në formë virtuale, sigurimi i mjeteve mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19 për mësimdhënës dhe nxënës duke e rregulluar edhe bazën ligjore.”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se programi i PDK-së për Rimëkëmbje të arsimit u garanton 330 mijë nxënësve dhe 100 mijë studentëve përgatitje cilësore që të jenë konkurrent me bashkëmoshatarët e tyre dhe u jep dinjitet 25 mijë mësimdhënësve të kualifikuar./Insajderi.com