Kandidati për Kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar rreth planit të tij për diasporën,për çka thotë se tri vende në listën e PDK-së për deputetë do të jenë për diasporën, si dhe do të rikthehet Ministria e Diasporës me ministër nga diaspora.
Ai tutje shtoi se Kosova duhet ta bëjë atë pjesë të drejtpërdrejtë të shtetndërtimit dhe të zhvillimit, njofton Insajderi.
Kështu është shprehur ai me anë të një video-adresimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, një javë pas konferencës për shtyp ku prezantoi këto zotime të cilat thotë se do t’i realizojë si kryeministër.
“Tri vende në listën tonë për deputetë, rikthimin e Ministrisë së Diasporës me ministër nga diaspora, ulëse të rezervuara në Kuvend të Kosovës, lirimi nga obligimi i sigurimit kufitar”, është shprehur Hoxhaj.
Ai tutje shtoi se kërkon mbështetjen e secilit, sepse sipas tij, bashkë mund të realizohet ky plan. /Insajderi.com