Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj priti në zyrën e tij të hënën kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava për siç tha ai në një “takim koordinues për lobim në vendet me shumicë myslimane”, por një shikim prapa i qëndrimeve të këtyre vendeve në raport me njohjen e pavarësisë nënkupton se ndikimi tek këto vende nuk është fare i lehtë.
Një nga “arsyetimet” që ka qarkulluar qysh prej shpallje së Pavarësisë së Kosovës lidhur me faktin se përse vendet arabe nuk e njohin pavarësinë e vendit me shumicë myslimane ka qenë amerikanizmi i kosovarëve, por në fakt nuk ka ndonjë arsye të vërtetë që vet vendet myslimane e kanë dhënë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, Kosova ka pasur shpresa të mëdha tek një vend tjetër mysliman, liderin e të cilit, liderët kosovar e kanë quajtur edhe vëlla, presidentin e Turqisë, Recep Tayp Erdogan.
Deri më tani vetëm gjysma e vendeve myslimane e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe kjo ka shërbyer si fakt që vet Serbia të mburret me diplomacinë e saj karshi pengesës për njohjen e pavarësisë.
Liderët serb kanë shfrytëzuar vizitat e tyre në shtetet e ndryshme sikurse Irani dhe Emiratet e Bashkuara. Madje Emiratet llogariten të jenë një nga investuesit më të mëdhenj në Serbi duke investuar mbi 60 milionë euro në projektin “Beogradi në ujë”.
Por përderisa Kosova nuk pop arrin që të ketë më shumë njohje me Kosovën, këtë gjë ka tentuar ta bëjë presidenti turk.
Madje hiq më pak se vitin e kaluar, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalimit të tij përmbyllës në Samitin e 13-të të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ka kritikuar shtetet islame për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Erdogan para të pranishmëve, tha se shtetet islame që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë diplomatik për ta njohur këtë vend, transmeton Telegrafi.
“Në mesin e 56 vendeve islame, ka shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo neve na brengosë”, ka deklaruar Erdogan.
Ai gjithashtu tha, se assesi nuk po mund të kuptojë arsyetimet e këtyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Arsye për këtë nuk ka mundur të gjejë as Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, Muhamed bin Abdulkerim Al-Isa, i cili gjatë vizitës së tij të fundit, muajin e kaluar, u shpreh se kauza e Kosovës për pavarësi ka qenë e drejtë dhe se është turpëruese që disa shtete islamike nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që, sipas tij, ndikon edhe tek shtete të tjera në gjithë botën.
“Kosova është model për tolerancën, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin në mbarë botën, vlera këto të kultivuara nga OBI dhe të cilat gjithsesi do të ndikojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të mbetura të kësaj organizate”, tha Karim Al-Issa./Insajderi.com