Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e Kuvendit ku temë debati është pandemia COVID-19, deklaroi se këtë seancë duhet ta ftonte Qeveria e jo opozita, “sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme do të duhej ta kuptonte drejt se beteja me pandeminë nuk është betejë politike por betejë shëndetësore”, njofton Insajderi.
“Kur unë e kam takuar kryeministrin në ardhje Albin Kurti ka thënë se do të bashkëpunonte me opozitën në pesë tema: dialogu, siguria nacionale, pandemia, arsimi dhe energjetika dhe sot nuk e shoh kryeministrin kur ne flasim për pandemi”, ka theksuar ai.
Hoxhaj, ka pohuar se, Kurti do të duhej t’i njoftonte se çfarë hapash janë ndërmarr për sigurim të vaksinave, duke e quajtur qeverinë “dështake” në mos sigurimin e dozave të nevojshme.
“Kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar t’i siguroj vaksinat, por nuk po shohim një plan konkret sesi do t’i sigurojnë vaksinat. Qytetarët e Kosovës po humbin jetën, dhe kush e merr vaksinën është e rëndësishme”, ka thënë ai.
Hoxhaj, i është drejtuar Kurtit duke i thënë se i ka braktisur qytetarët dhe se ata po ndihen të vetmuar pa mbështetje kundër virusit COVID-19.
“Qytetarët e kanë parë se qeveria juaj, ka prioritete tjera. sepse nuk ka ndodhur askund, e më së paku është dashur të ndodhë tek ne, që kryeministri, shtetasit e të cilit për çdo ditë po humbin jetën si pasojë e pandemisë, të merrej me zgjedhjet në një vend fqinj, kur nuk ka zgjidhur as edhe një çështje elementare që i duhet sot Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë tutje Hoxhaj.
Ai po shtu shtoi se, për një kryeministër të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, nuk do të duhej të kishte prioritet më të madh, sesa për ta nxjerrë Kosovën nga harta e pandemisë.
“Shihni vendet e rajonit. Këtu po flasin faktet e jo dogmat. Ku është përgjegjësia juaj kryeministër”, ka thënë ai. /Insajderi.com