Hoxhaj: Qeveria po abstenon nga puna dhe përgjegjësia

Hoxhaj: Qeveria po abstenon nga puna dhe përgjegjësia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë me në krye Albin Kurti, për çka thotë se që një muaj është duke qeverisur pa plan.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Hoxhaj thotë se kryeministri Kurti nuk po iu del në ndihmë qytetarëve që po gjenden ballë pandemisë me COVID-19.

“Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia. Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë”, ka shkruar ai.

Ai më tej tha se “për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij”.

Ai ka ftuar Kurtin që ta shohë gjendjen reale me COVID-19, mungesën e barnave esenciale e vaksinat.

“Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t’ia hapin sytë me disa doza realiteti”, ka shkruar ai. /Insajderi.com