Hoxhaj refuzon ftesën e Osmanit për ceremoninë zyrtare

Hoxhaj refuzon ftesën e Osmanit për ceremoninë zyrtare

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se e ka refuzuar ftesën e presidencës, për të marrë pjesë në aktivitetin e inagurimit të presidentes së sapozgjedhur, Vjosa Osmani, përcjell Insajderi.

Ai në një postim në Facebook, është shprehur se refuzimin e ftesës e ka bërë pasi që “Vjosa Osmani nuk është presidente unifikuese, por përçarëse dhe partiake”.

“Pjesëmarrja ime, si kryetar i PDK-së do të ishte e paevitueshme, sikur të kishim një situatë normale dhe të merituar, ku Hashim Thaçi do ta bënte dorëzimin e detyrës së tij si president i vendit. Sikur opozitarët e deridjeshëm të respektonin shtetin e Kosovës, institucionet e bartësit e tyre, presidentin Thaçi e Kryetarin Veseli, që po e bëjnë një tjetër sakrificë për vendin”, ka shkruar ndër të tjera Hoxhaj.

Sipas tij, Osmani është zgjedhur president “në një mbrëmje të ftohtë, të mbushur me pazare të minutave të fundit, të cilat, sikur të mos mjaftonin, ishin caktuar që të kryheshin nga njerëz të Listës Serbe dhe struktura të ish-regjimit”

“Tani, për të gjithë, kjo mund të tingëllojë vetëm fjalë dashakeqe, por, koha do ta dëshmojë se realiteti do të jetë shumë herë më i hidhur. Për presidente do të kemi një marionetë të një kryeministri me tendenca autokrate”./Insajderi.com

PRESIDENTI MUNGON

Dje kam pranuar një ftesë nga presidenca për të marrë pjesë në aktivitetin e inagurimit të zonjës…

Posted by Enver Hoxhaj on Tuesday, April 6, 2021