Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se ky subjekt politik ende nuk ka caktuar mandatarin për kryeministër, njofton Insajderi.
Përmes një konference për media, Hoxhaj tha se shumë shpejtë do ta bëjnë publik emrin e kandidatit i cili do t’i prijë listës së PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne si PDK kemi një ekip të njerëzve që është i përgatitur për të udhëhequr pozitat më të rëndësishme. Ne ende se kemi folur një temë të tillë në PDK, shumë shpejt do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës. PDK-ja është parti që kur e ka pasur pozitën e kryeministrit ndryshimet kanë qenë konkrete”, tha ai.
Hoxhaj tha se janë vetëm dy lajme të mira që i kanë ndodhur vendit në 14 muaj.
“E para, kalimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike me vendosmërinë e PDK-së dhe vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, vendim që ndali degradimin politik. Koalicioni aktual nuk ka pasë numra në kuvend për të kaluar asnjë ligj. Vendi ka qenë i bllokuar një kohë të gjatë”, tha i pari i PDK-së.
Tutje, ai shtoi se ky subjekt politik është i gatshëm për zgjedhje dhe që “përsëri të marrë drejtimin e institucioneve”./Insajderi.com