Hoxhaj: Shoqëria e vitit 2021 ka ndryshuar, andaj duhet të ndryshojë edhe PDK-ja

Hoxhaj: Shoqëria e vitit 2021 ka ndryshuar, andaj duhet të ndryshojë edhe PDK-ja

Ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk ka treguar nëse do të garojë për të parin e kësaj partie, shkruan Insajderi.

Hoxhaj përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për hapjen e garës, megjithatë ka hezituar që të tregojë nëse personalisht do t’ia mësyejë kësaj gare për kreun e partisë.

Ai ka thënë së ‘shoqëria në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar dhe krahas saj duhet që të ndryshojë edhe PDK-ja, pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi’.

“Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.”, ka shkruar Hoxhaj.

E sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik.

“Prandaj, si partia më e madhe opozitare në vend, partia më e rëndësishme në Kosovë në 21 vitet e fundit, parti e dalë nga lufta për çlirim dhe e cila luajti rolin kryesor në pavarësimin e vendit, e kemi për obligim dhe detyrë ndaj partisë dhe aktivistëve, ndaj qytetarëve dhe shtetit, që t’i japim fund status-quos dhe të hapim debatin e brendshëm për rrugën përpara”, ka theksuar ai.

Hoxhaj në ‘Pressing’ ka thënë se kanë qenë në pritje të ardhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe  ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli nga Haga për zgjedhje të brendshme,ndërsa ka shtuar së në debatin që ka pasur me degët e kryesinë qendrore të partisë kanë shprehur nevojën e një kryesie të re.

PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish -kryetarit Kadri Veseli.

Veseli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që nga atëherë është Enver Hoxhaj./Insajderi.com