Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka vendosur të injoroj komplet dy skandalet e diplomacisë kosovare që ndodhën në javën e fundit, dhe në vend të saj, ka treguar se është duke lexuar libra.
Pasi javën e kaluar, saktësisht me 18 qershor publikoi një fotografi në të cilën Hoxhaj thoshte se po lexon filozofin e tij “të preferuar Jürgen Habermas”, me 28 qershor ndodhi skandali i arrestimit të Albert Veliut, shofer në Konsullatën e Kosovës në New York, i cili nga DEA amerikane u arrestua për trafikim armësh dhe droge.
E skandali i dytë i diplomacisë kosovare ndodhi në të premten kur Konsulli i Republikës së Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj u shfaqë duke mbajtur një armë të ftohtë dhe duke sulmuar protestuesit e mbledhur në fshatin Vranishtë të Dragashit, për të kundërshtuar ndërtimin e një mini-hidrocentrali.
Por kjo se ka penguar kryediplomatin që të vazhdojë leximin, duke injoruar komplet këto raste, raporton Insajderi.
Të dielën ai ka postuar një fotografi tjetër të vetën në të cilën shihet teksa lexon biografinë “e jashtëzakonshme për Henry Kissingerin nga Walter Isaacson”, që Hoxhajn sipas vet tij e bëjnë të “kuptoj se politika nuk është vetëm betejë për pushtet por edhe betejë për ide”.
“ Por, çfarë vlere kanë idetë pa fuqinë dhe domosdoshmërinë e jetësimit të tyre. Prandaj, PDK i ka të dyja – fuqinë dhe idetë”, ka shkruar Hoxha.
Megjithatë mbetet pikëpyetje nëse librat filozofik të Hoxhajt kanë ndonjë ndikim në menaxhimin e një diplomacie që së paku nuk krijon skandale për trafikim armësh apo që sulmon protestues me sopatë./Insajderi.com