Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj tha se në një intervistë që ai kishte dhënë për “Veçernji list” të Zagrebit, nuk kishte përmendur krijimin e ndonjë pakti kundër Serbisë.
Ai gjithashtu deklaroi se titulli i tekstit që bëri jehonë në rajon dhe ajo çfarë tha aty, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, transmeton KosovaPress.
“Unë kurrë nuk kam thënë asgjë për krijimin e një pakti rajonal kundër Serbisë! Titulli i tekstit dhe ajo që unë kam thënë në të vërtetë janë gjëra krejtësisht të ndryshme,” tha Hoxhaj për televizionin e Malit të Zi, Antena M.
“Sa për komentet e mia se Serbia po kryen një politikë agresive kundër vendeve fqinje dhe se partnerët perëndimorë duhet të përdorin ndikimin e tyre në Serbi, e cila është në thelb një dorë e zgjatur e Rusisë në Ballkan, janë të gjitha qëndrimet e mia të njohura që i kam bërë në mënyrë të përsëritur gjatë dekadës së fundit”, tha Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj më herët deklaroi në një intervistë me Veçernji List se në disa raste, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, Maqedoni dhe Mal të Zi, ai bisedoi me krerët e këtyre vendeve lidhur me krijimin e një pakti që do t’i qëndronte Serbisë dhe “politikës së saj agresive” .
Ai e arsyetoi këtë për gazetën Veçernji List, duke thënë se Serbia vazhdon një fushatë agresive kundër Kosovës dhe dëshiron të destabilizojë të gjithë rajonin.