Hoxhaj: Thaçi do të jetë udhëheqës i dialogut

Hoxhaj: Thaçi do të jetë udhëheqës i dialogut

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se ekipi negociator i votuar nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor dhe Presidenti i Kosovës janë një ekip në negociatat që do të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas tij,  ai që do ta përfaqësojë këtë dialog është Presidenti, pasi që Bashkimi Europian ka përcaktuar që niveli më i lartë i negociatave do të zhvillohet në nivel presidentësh.

“Delegacioni në bashkëpunim me Presidentin dhe nën udhëheqje të Presidentit do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Kosovës. Presidenti Thaçi ka një mandat kushtetues që ta udhëheqë politikën e jashtme dhe delegacioni është mandatuar që të jetë pjesë e këtij procesi”, ka thënë Hoxhaj për Kallxo.com

Në këtë intervistë, Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur edhe për idenë e presidentit të korrigjim të kufijve ku ka thënë se rezoluta e miratuar i përcakton qartë vijat e kuqe.

Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, Hoxhaj ka potencuar që për këtë vit nuk ka asnjë ‘shancë’ që qytetarët të lëvizin pa viza. Ai thotë që premtimi që kanë marrë nga BE-ja është mesi i vitit të ardhshëm .