Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të jetë ai që përfaqëson vendin në takim me palën serbe kur në tryezë është presidenti serb, por ka shtuar se Kuvendi duhet të ketë rol kryesor në procesin e dialogut.
Sipas tij, rezoluta e propozuar nga koalicioni qeverisës jep përgjigje të qartë për idenë e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Ai ka thënë se në rezolutë shprehet qartë se “kufijtë, integriteti i Kosovës janë të paprekshëm”.
Ai ka thënë se takimi i sotëm mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe një pjese të opozitës është fazë e re për vendin. Sipas tij, të gjithë janë në pajtim që Kuvendi të ketë rolin e vet në dialog dhe që për interes të vendit të gjithë duhet të bashkohen.
Sipas Hoxhajt, dialogu me Serbinë duhet të afatizohet dhe të ketë përcaktim të temave. Ai ka thënë se dialogu duhet patjetër të mbyllet me njohje reciproke e të ketë edhe pikë të tjera diskutimi.
“Çfarë po thotë presidenti është qëndrim i tij. Është zgjedhur me votat e Kuvendit. Ka mandat kushtetues, por në një plan më real duhet të kemi marrëveshje obligative ligjore me Serbinë, me pikën kryesore njohje të ndërsjellë. S’kemi pse të ulemi pa një pikë të tillë. Pikë tjetër është bashkëpunimi. Kemi një kufi mbi 400 kilometra dhe kemi interesa tregtare e të tjera. Është çështja e të pagjeturve, dëmit të luftës, shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Element i katërt mund të jetë demarkimi i kufirit. Debati nuk duhet të fokusohet rreth një dimensioni të marrëveshjes, por të përfshijë të gjithë elementet. Marrëveshjen duhet ta nënshkruajmë ne si ekip negociues në Kuvend dhe ekipi i Serbisë”, ka thënë ai në një intervistë në emisionin Express.
Hoxhaj u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së që munguan në takimin e sotëm që të ulen bashkë për të arritur një konsensus. Sipas tij, kur udhëhiqen politikat e mëdha përgjegjëse është qeveria, por edhe opozita.