Hoxhaj tregon planin e Serbisë pas arrestimit të ushtarit të FSK-së  

Hoxhaj tregon planin e Serbisë pas arrestimit të ushtarit të FSK-së  

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj arrestimit të pjesëtarit serb të FSK-së në pikën kufitare në Konçul, nga ana e autoriteteve serbe.

Hoxhaj i quajti shqetësuese dhe të papranueshme, me tendencë për t’i shantazhuar pjesëtarët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës.

“Arrestimi i pjesëtarit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Konçul dhe lirimi i tij pastaj, është shqetësues dhe i papranueshëm, me tendencë për t’i shantazhuar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dhe për ta penguar integrimin e tyre në institucionet e sigurisë.. Edhe një dëshmi tjetër që Serbia nuk e ka seriozisht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe nuk dëshiron ta lejojë integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit tone”, ka shkruar Hoxhaj.

“Jo më larg se javën që shkoi zyrtarë të lartë serbë kanë kërcënuar publikisht serbët e Kosovës, se do të dënohen nëse vendosin të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic në një samit rajonal ka përdorur gjuhë dhe sjellje kërcënuese ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit.  Ndërsa, tani ndodh ky arrestim dhe lirim me qëllim që t’i frikësojë pjesëtarët e tjerë serbë që janë, ose mendojnë të bëhen pjesë e FSK-së”, ka shkruar Hoxhaj.