Hoxhaj u premton shqiptarëve të Luginës pajisjen me pasaporta të Kosovës

Hoxhaj u premton shqiptarëve të Luginës pajisjen me pasaporta të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, ka thënë se pajisja me pasaportë të Kosovës e shqiptarëve që jetojnë në Luginë do të jetë prioritet gjatë qeverisjes së tij, njofton Insajderi.

Këtë premtim Hoxhaj e ka bërë pas vizitës në disa biznese në Fushë Kosovë e që pronarët janë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

Në një postim në Facebook, ai shtë shprehur se me programin e PDK-së të Rimëkëmbjes, banorëve të kësaj pjese do t’u njihet statusi i privilegjuar në Kosovë, nga i cili do të përfitojnë nga lirimi i tatimeve doganore.

“Kemi paraparë thjeshtëzimin e procedurave të eksportit të mallrave në Kosovë dhe jemi kujdesur që të gjithë banorët e Luginës të mund të punësohen në institucione, ashtu si qytetarët e Kosovës.

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci kanë nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shtetit të Kosovës. Andaj, pajisja e tyre me pasaportë të Kosovës, është prioritet i yni dhe vetëm ne mund ta përmbushin këtë”, ka shkruar ndër të tjera Hoxhaj./Insajderi.com