Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka nisur zbatimin e ‘mini-Shengenit’, shkruan Insajderi.
Sipas tij, Kurti ka filluar këtë nismë, në të cilën Kosova nuk trajtohet e barabartë më rajonin.
“Kryeministri Albin Kurti ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë, sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-schengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit”, ka thënë ai.
Tutje, Hoxhaj e uroi Kurtin për këtë iniciativë duke theksuar se “kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. E pra, tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e re andaj urime Albin”, ka deklaruar ai.
Ky reagim i Hoxhajt vie pasi që sot Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta dhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë./Insajderi.com