Hoxhiq: Vendimi i PZAP skandaloz, do të ankohemi në Supreme

Hoxhiq: Vendimi i PZAP skandaloz, do të ankohemi në Supreme

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të anulohen në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në komunën e Zubin-Potokut, Shtërpcës, Ranillugut, Garaçanicës, Parteshit, Kollokotit dhe Novobërdës. Po ashtu PZAP-i ka anuluar pjesërisht votat për subjektet politike  Lista “Ujedinjena Zajednica” (Komuniteti i Bashkuar) – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicionit VAKAT, njofton Insajderi.

Një vendim të tillë e ka kundërshtuar kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, lista “Komuniteti i Bashkuar”, Adriana Hoxhiq.

Ajo ka thënë se vendimi i marrë sot është politikë, i padrejtë dhe skandaloz.

Hoxhiq ka thënë se një vendim i tillë nuk është marrë asnjëherë në histori, dhe se do të ankohen në Gjykatën Supreme.

“Një vendim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në histori, askund në botë. Ne do ta shfrytëzojmë mekanizmin që e kemi përpara, ankesën të Gjykata Supreme. Ne do t’i kemi argumentet me vete, sepse shpjegimet që ne i kemi marrë nga PZAP, nuk pinë ujë. Të gjitha shpjegimet janë të pa baza. Vendimi është skandaloz, i bazuar politikisht dhe i padrejtë”, ka deklaruar ajo në T7.

Hoxhiq ka thënë se i janë larguar aq vota sa ajo të humb pozitën e deputetes.

“Ne të gjitha ligjet i kemi respektuar. Kandidatët tanë të gjithë janë boshnjakë.

“Ligji nuk ja ndalon asnjë qytetari dhe nuk e udhëzon asnjë qytetar që patjetër duhet të votojë opsionin sipas etnicitetit. Në Komunën e Prizrenit si mund PZAP ta dijë se cila votë është e komunitetit shqiptar e cila e atij boshnjak. Unë kam pasur shumë telefonata nga qytetarë të rëndomtë që nuk po munden ta besojnë se çfarë po ndodh. Mua edhe shqiptarët më kanë votuar”, ka shtuar ajo./Insajderi.com