Disa dhjetëra serbë nga Kosova, kryesisht nga qytetet e Rrafshit të Dukagjinit – Rahoveci, Hoça e Vogël, Pejë, Gjakova, Klina, Prizreni, kanë protestuar, duke ndalur komunikacionin për një orë në Krunska Ulica në Beograd, para Ambasadës hungareze në Serbi, në shenjë kundërshtimi të vendimit të autoriteteve hungareze që ta ekstradojë në Kosovë shtetasin e Serbisë, Lubisha Manitasheviqin, të dyshuar për krime lufte në Kosovë, raportojnë mediat serbe.
Pjesëmarrësit e protestës thanë se kështu po e mbështesin të vëllain e Lubisha Manitasheviqit, Nikollën, i cili para Ambasadës hungareze po bën grevë urie nga e hëna. Vëllezërit Manitasheviqit janë me origjinë nga Hoça e Madhe te Rahoveci.
Nikolla Manitasheviq ka kërkuar nga Serbia “të zgjohet, të mbledh forcë dhe së paku njëherë zyrtarisht të bëjë diçka dhe të mbrojë qytetarët e Serbisë nga Kosova e Metohija”. Ai ka thënë se “është i informuar se nëse shkon në Kosovë do të burgoset menjëherë për shkak të angazhimeve që vëllai i tij të mos ekstradohet në Kosovë”. Sipas tij, i vëllai i tij Lubisha ndodhet në paraburgim ekstradues, ndërsa për shkak të deklaratës se i gjallë nuk do të shkojë në Kosovë, tash 24 orë është me pranga në duar, si masë sigurie të autoriteteve hungareze”, e citojnë atë mediat.
Ranko Gjinoviq në emër të familjes Manitasheviq dhe të të ashtuquajturës Shoqatë së serbëve të dëbuar dhe të Familjeve të serbëve të zhdukurve e të kidnapuar nga Kosova, tha se tash “çdo serb nga Kosova, qoftë i mbetur atje ose i larguar prej saj, është në listën e të kërkuarve për arrest, dhe është vetëm çështje kohe cili do të jetë në radhë”.
Raportohet se askush nga Ambasada e Hungarisë nuk ka dalë të bisedojë me protestuesit.,
lidhje me rastin e Manitasheviqit, një grup serbësh të respektuar, siç i cilësojnë mediat serbe, e klerikësh nga Rahoveci e Hoça e Madhe, i janë drejtuar me një letër ambasadorit të Hungarisë në Prishtinë, Laslo Markusit, përmes të cilës kanë sqaruar shkaqet pse Manitasheviq nuk duhet të ekstradohet në Kosovë. Sipas tyre, “Lubisha Manitasheviq, për shkak të plagosjes së dy pjesëtarëve të UÇK-së ka qernë i proceduar nga KFOR-i, të cilëve vetë u ishte dorëzuar dhe në burgun hetues në Prizren kishte kaluar 67 ditë, pastaj ishte liruar për t’u mbrojtur në gjendje të lirë, pasi kishte kaluar të gjitha verifikimet e KFOR-it”.
Po ashtu, sipas tyre, Manitasheviq kishte shtënë në vetëpmbrojtje, pasi pjesëtarët e UÇK-së në qershor të vitit 1999 kishin dashur ta kidnaponin në Rahovec, ndërsa kanë thënë se “njëri nga të plagosurit, Dritan Hoxha nga Rahoveci, i cili më vonë është bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës, por që” siç thuhet “më vonë është përjashtuar prej saj për shkak të kontrbandimit të automjeteve, nuk e ngarkon më të akuzuarin”.