Qeveria e Kosovës të hënën ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së Coronavirusit, të cilat hyjnë në fuqi sot (e mërkurë) deri më 18 prill, njofton Insajderi.
Nga sot ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri më 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri më datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.
Ndërkaq, institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.
Konviktet dhe mensat, me masat e reja, pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill 2021.
Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë.
Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga sot, 7 prill, deri më datë 18 prill.
“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.
Sipas vendimit të Qeverisë, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, homazhet). Përjashtimisht, pavarësisht numrit të personave, mbajtja e të pames dhe dasmave ndalohet.
Ndërkaq bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:
-Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;
-Gjatë vrapit dhe çiklimit;
-Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje./Insajderi.com