Ish-koordinatori Nacional për Dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se dialogu nuk do të rinisë siç ka deklaruar kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, por do të vazhdojë aty ku ka mbetur, transmeton Insajderi.
Hyseni thotë se 15 qershori (takimi i parë Kurti-Vuçiq) shënon vazhdimin e dialogut të rinisur më 21 shkurt të vitit të kaluar.
“Deklarata e kryeministrit Kurti se gjithçka do të nisë nga e para nuk qëndron, sepse nuk është as Kurti dhe as Vuçiq ata që mund ta imponojnë formatin e dialogut të rinisur në korrik të vitit të kaluar. Përtej asaj që e thotë njëri apo tjetri, 15 qershori shënon vazhdimin e dialogut të rinisur më 21 shkurt të vitit të kaluar, pasi është një format i cili është dakorduar dhe është harmonizuar ngushtë edhe në rrafshin e asaj që quhet marrëdhënie transatlantike”, ka thënë ai në ‘Klan Kosova’.
Hyseni tutje ka thënë që një “dialog i ri” bart në vete sipas tij, rreziqe të caktuara për vendin, derisa ka shtuar se Serbia po mundohet ta zvarrisë përmbylljen e dialogut meqë është jetike për të.
“Është interes jetik i Serbisë zvarritja e mëtejme dhe ruajtja e status quos në Kosovë. Gjithnjë në pritje të një mrekullie ose një konteksti ndryshe në marrëdhëniet globale ndërkombëtare, i cili do të ishte i favorshëm për pretendimet e Serbisë për ta rikthyer Kosovën. Serbisë nuk i ngutet në këtë dialog dhe është e paqëndrueshme edhe premisa që po flitet se Serbia gjoja ka interes të mbyllë këtë temë, sepse i duhet anëtarësimi në BE”.
“Nuk lodhet Serbia për atë punë, për aq kohë sa mund ta zvarrisë përmbylljen e asaj që unë e quaj kontest politik dhe histori mes Kosovës dhe Serbisë, e që është përplasje historike dhe politike edhe mes shqiptarëve dhe serbëve”. /Insajderi.com