Hyseni: Me deklaratën e djeshme, Borrell u rreshtua në anën e krimit

Hyseni: Me deklaratën e djeshme, Borrell u rreshtua në anën e krimit

“Borell, me deklaratën e tij të pakuptimtë rreth veprimeve operative të organeve të drejtësisë së Kosovës në veri, me apo pa vetëdije, u vu në mbrojtje të krimit në një pjesë të vendit tone”.

Kështu ka deklaruar ish-Koordinatori Nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, duke iu referuar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ky i fundit duke folur për aksionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar në disa komuna, përfshirë edhe veriun, kundër kontrabandës së mallrave, i ka quajtur veprimet e PK-së “të pakontrolluara dhe të njëanshme”, duke thënë se “mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon”.

Këto deklarata sipas Hysenit janë të papranueshme dhe si “një referim penalltie kundër Kosovës, 25 metra larg portës, në minutën e nëntëdhjetë të lojës”.

“Pyetja thelbësore që duhet shtruar këtu është nëse Borell ka kredibilitetin për të qenë një ndërmjetës i paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Pas deklaratës së djeshme kjo dilemë bëhet akoma më e madhe”.

“Mirëpo, më parë se nga ne, përkatësisht nga qeveria e Kosovës, kjo pyetje duhet të shtrohet nga Presidenti Biden, Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Kryeministri Johnson, dhe zyrtarë të lartë të BE-së, sepse Kosova nuk e ka fuqinë e ndikimit e edhe më pak të vendimarrjes në ketë çështje”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Borell nuk mund të sillet sikur të ishte prokuror apo komandant policie në Kosovë.

Me deklaratën e djeshme, “duke u vënë në anën e krimit, Borell shkeli edhe mbi njërën nga vlerat themeltare të BE-së për rend e ligj”, ka thënë Hyseni më tej.

“Ai duhet ta di se organet e rendit dhe ligjit në Kosovë janë sovrane dhe nuk duhet te marrin miraitimin e askujt për të luftuar krimin në territorin e saj. Aq më pak miratimin e Serbisë, e cila, në fakt edhe është sponsori kryesor kriminalitetit në një pjesë të vendit tone”.

Ka shtuar se Qeveria e Kosovës dhe organet e drejtësisë janë dhe duhet të jenë tërsisht sovrane në veprimet e saja operative kundër krimit.

“Në të njëjtën kohë, ajo, pra Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe syhapur dhe të mos lejoj një ‘fait accompli’ që aq shumë e dëshiron Serbia, e pse te mos thuhet, edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Dialogu Kosovë – Serbisë duhet të përmbyllet me një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues. Qellim parësor duhet të jetë hapja e rrugës së integrimit edhe të Kosovës, e edhe të Serbisë në BE, si dy shtete të pavarura”./Insajderi.com