Hyseni në Uashington për dialogun

Hyseni në Uashington për dialogun

Koordinatori Shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka thënë se nesër, më 1 gusht 2020, do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, njofton Insajderi.

Hyseni ka deklaruar se ky takim ka për synimkoordinimin, dakordimin dhe ndarjen e vlerësimeve për procesin dhe ndërveprimet e mëtejme rreth dialogut Prishtinë-Beograd.

Ai tutje ka shtuar se udhëtimi i tij për në SHBA, do të realizohet me qëllim të qetësimit dhe heqjes së çdo shqetësimi në lidhje me atë se mungon komponenta amerikane në këtë dialog, për çka Hyseni thotë se përveç që nuk mungon, është e fuqishme, aktive dhe e pazëvendësueshme.

“Sa për një informim paraprak, unë nesër udhëtoj për në Uashington D.C. ku gjatë dy-tre ditëve do të zhvilloj takime të nivelit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, dhe në Shtëpinë e Bardhë, gjithnjë me një qëllim të vetëm dhe pas dakordimit me Departmanetin Amerikan të Shtetit, që të koordinojmë, të dakordohemi, të ndajmë vlerësimet për procesin dhe të koordinojmë ndërveprimet dhe veprimet e mëtejme rreth dialogut. Po e theksoj – dhe këtë po e bëj me qëllim të qetësimit dhe heqjes së çfarëdo shqetësimi që mund të ketë gjithandej, që mungon komponenta amerikane në këtë dialog – ajo nuk mungon. Është e fuqishme, është aktive dhe është e pazëvendësueshme”, ka thënë Hyseni në një intervistë për REL.

Ai tutje ka shtuar se vetëm marrëveshja për njohje reciproke do të krijojë parakushtet thelbësore për të qenë të suksesshëm në marrëveshje të veçanta dhe çështje të veçanta për bisedimet, për dakordimet, për marrëveshjet tjera që do të ketë gjithmonë midis dy shteteve sovrane dhe të pavarura që janë në fqinjësi. /Insajderi.com/