Hyseni refuzon të përgjigjet për raportimet e mediave serbe – “s’qenka urgjente”

Hyseni refuzon të përgjigjet për raportimet e mediave serbe – “s’qenka urgjente”

Mediat në Serbi kanë raportuar se në takimin e radhës mes delegacionit të Kosovës e atij të Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian do të prezantojë një projekt-marrëveshje finale për Kosovën e Serbinë, e në të cilën marrëveshje shtetit serb i kërkohet njohja e Kosovës.

Për këtë janë deklaruar politikanë serb si Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme e ministri tjetër, Nenad Popoviq.

Por, për të njëjtën çështje ka refuzuar të japë një përgjigje, koordinatori i tash-emëruar i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni.

Atij i është kërkuar nga Gazeta Online Insajderi një prononcim rreth raportimeve të mediave serbe, të cilat janë marrë shumë seriozisht në Beograd.

Ka refuzuar të përgjigjet. E ka konsideruar si të panevojshme dhe jo diçka të ngutshme për të dhënë një prononcim.

“Nuk qenka diçka urgjente”, ka thënë Hyseni për Insajderi-n.

Në Serbi, fillimisht gazeta Vecernje Novosti, e më pas edhe media të tjera, kanë raportuar, nga burime të tyre në Bruksel, se tashmë është përgatitur një propozim marrëveshje dhe se Serbisë thuajse do t’i vendoset ultimatum për njohjen e Kosovës.

Daçiq ka thënë se po i duket e çuditshme nëse është kështu, por s’e ka mohuar se mund të ndodhë. Gjithsesi, ka thënë se nëse diçka e tillë veç konkretizohet dhe Serbisë i paraqitet një marrëveshje në tavolinë, “presidenti Aleksandër Vuçiq, do t’i mbrojë interesat kombëtare të popullit serb”./Insajderi.com