Hyseni: Serbia kërkoi t’i ofrojmë arkivat e UÇK-së

Hyseni: Serbia kërkoi t’i ofrojmë arkivat e UÇK-së

Ish-Koordinatori Nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se Serbia i ka kërkuar që t’ia ofrojnë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bazuar në një libër të profesorit Nysret Pllana, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës, ku tha se këtë kërkesë ia kishte bërë Marko Gjuriq, derisa ishte i dërguar i Serbisë për dialogun gjatë vitit të kaluar.

Sipas Hysenit, kjo lidhet me tri tema për të cilat Kosova nuk duhet të flasë dhe t’i rihapë në tavolinë të dialogut, nga tetë për të cilat do të bisedohet.

“Serbia ka kërkuar që ne t’i ofrojmë arkivat e UÇK-së. Gjuriq thotë se ky është dëshmia më e mirë se çka ka bërë UÇK-ja, duke përdorur librin e profesorit Nysret Pllana. Andaj Serbia mezi pret që të rihapen 3 tema nga 8 për të cilat flitet në dialog. Porosia ime ishte të vazhdojnë aty ku kemi mbetur dhe të mos rihapin këto tema”, ka thënë Hyseni.

Edhe pse u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë për këtë proces, si një ndër temat e mëdha kombëtare për të cilat sipas tij, duhet të qëndrojnë bashkë jashtë kufijve të Kosovës, Hyseni thotë se nuk ka pasur ftesë nga kryeministri Albin Kurti që t’i bashkohet ekipit negociues për dialog.

Madje, ai tha se një gjë të tillë nuk do ta pranonte pasi që nuk punon me njerëzit të cilëve nuk iu beson se kanë guxim dhe gatishmëri që ta përmbyllin çështjen me Serbinë.

“Nuk kam pasur ftesë që t’i bashkëngjitem dhe në çdo formacion që njeriu punon udhëhiqet nga parimi i besimit, që i bie që unë nuk i besoj Albin Kurtit aspak që ka guxim, gatishmëri për ta mbyllur këtë konflikt me Serbinë siç duhet dhe dëshiron vetëm ta zvarrisë procesin. Uroj shumë të jem gabim, por kam frikë se është kështu”, tha ai. /Insajderi.com