Copëzat e tërësisë

Hyseni thotë se në Bruksel u diskutuan elemente të një marrëveshje të përgjithshme

Një takim i gjatë e i vështirë, por që ishte pritur të jetë i tillë. Kështu e ka përshkruar Skënder Hyseni takimin në Bruksel. Atje, thotë Hyseni, u bisedua për disa elemente, por që janë pjesë e një marrëveshje të përgjithshme.

Hyseni thotë se në Bruksel u diskutuan elemente të një marrëveshje të përgjithshme

Skënder Hyseni, koordinator i Kosovës për dialogun me Serbinë, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, ka thënë se sot janë diskutuar elemente të cilat në fund do të përbëjnë marrëveshjen e përgjithshme në mes dy vendeve, njofton Insajderi.

“Po negociojmë elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme, e cila në fund do të jetë marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe që patjetër duhet të rezultojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë- Serbi”, ka pohuar Hyseni.

Sipas tij, kjo në fund të fundit do të thotë “pashmangshëm njohje reciproke, njohje të ndërsjellë”.

Hyseni sot është takuar një herë në takim të veçantë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak, e më pas edhe me udhëheqësin e delegacionit serb, Marko Gjuriq.

Koordinatori shtetëror i Kosovës, takimin shumëorësh e ka cilësuar si të vështirë, por të tillë edhe e priste.

“Për gati shtatë orë pa ndërprerë kemi trajtuar elemente të kësaj marrëveshjeje, bisedimet janë të vështira dhe unë nuk jam nga ata që pres që çdo gjë do të arrihet lehtë, por jam optimist sepse mbështetur në tonin e bisedave po ecim në drejtimin e duhur. Është herët të shfaqim optimizëm, sepse janë biseda të vështira, por me këmbëngulësi do të arrijmë atë që jemi nisur”, ka thënë ai./Insajderi.com