Hysni Gucati arrestohet nga EULEX-i

Bastisja e zyrave të OVL-së nga EULEX-i, aksion për të cilin fillimisht nuk dihej arsyeja, ka rezultuar me arrestimin e kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucati. Ai pritet të dërgohet në Hagë, ka thënë nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj.

Hysni Gucati arrestohet nga EULEX-i

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është arrestuar nga EULEX-i, pas bastisjes që ndodhi në zyrat e OVL-së, njofton Insajderi.

Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj.

Ai ka thënë se Gucati ende vazhdon të jetë në zyrat e OVL-së, porse gjatë ditës do të dërgohet në Hagë, ku është e vendosur edhe selia e Dhomave të Specializuara.

Zoti Gucati më thirri më tha ‘hajde se më kanë arrestuar e po më dërgojnë për në Hagë’, por ende nuk u kry procedurat për arrestimit kështu janë duke më pritur edhe mua se edhe unë duhet të jem aty. Unë jam në Deçan, e tash jam nis për në Prishtinë”, ka pohuar Haradinaj.

Zyrtarët policorë të EULEX-it kanë rrethuar fillimisht dhe më pas kanë bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Bastisja e zyrave të OVL-së vjen disa ditë pasi nga kjo zyrë u zbuluan dosje që më vonë u vërtetua se janë të Gjykatës Speciale.

Nga OVL thoshin se dosjet nuk i kanë marrë ata, porse dikush po ua sjellë.

Atë dikush ata e quanin “Rrufeja”, duke aluduar se ikte shumë shpejt pasi sillte dosjet.

Një herë edhe publikuan një video që tregon një person të maskuar që shkonte te zyra e OVL-së dhe linte grumbullin me dokumente.

Ambientet e veteranëve të UCK-së ditë më parë u vizituan edhe nga personel i Gjykatës Speciale./Insajderi.com