I akuzuari nuk e pranon fajësinë për shkaktimin e aksidentit ku vdiqën pesë persona

I akuzuari nuk e pranon fajësinë për shkaktimin e aksidentit ku vdiqën pesë persona

I akuzuari E.M. është deklaruar i pafajshëm për aksidentin e qershorit të këtij viti në Koshare të Ferizajt, ku vdiqën pesë persona.

Këtë deklarim i akuzuari Musliu e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shukri Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të trafikut publik” për aksidentin e ndodhur pasditen e 6 qershorit në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime. E.M. akuzohet se duke mos përshtatur shpejtësinë dhe duke mos respektuar rregullat e komunikacionit, ka tejkaluar në vijë të plotë dhe e ka goditur veturën që po lëvizte në drejtimin e kundërt. Aksidenti ua mori jetën katër personave në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër vdiq më vonë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Janë lënduar edhe dy persona tjerë.

Nga ajo ditë e deri më 25 shtator, i akuzuari qëndroi në paraburgim, ndërsa nga 25 shtatori e deri më 25 tetor i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Për këtë ka pasur edhe protesta të qytetarëve.

Prokurori i rastit në këtë fazë ka propozuar që të zbatohet masa e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar propozimin.

Për propozimin për paraburgim do të vendoset me aktvendim të veçantë, sipas gjyqtares së çështjes. Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar./Insajderi.com