
Në seancën për krime lufte në të cilin po gjykohet Milorad Zajiq, mbrojtësi i tij Dejan Vasiç, ka paraqitur kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Kërkesën e tillë e ka kundërshtuar prokurorja Habibe Salihi.
“Kjo prokurori ka pranuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, dhe konsideron se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes për shkak se aktakuza ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin akuzën dhe janë siguruar në mënyrë të ligjshme, andaj gjykatës i propozojmë që kërkesën për hedhje të aktakuzës ta refuzojë”, thuhet në përgjigjen për kundërshtimin e akuzës dhe provave.
Zajicq në shqyrtimin fillestar ishte deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzat për krime lufte.
“Jam i pafajshëm për akuzat që më ngarkohen”, pati deklaruar Zajiq.
Ai akuzohet se kishte marrë pjesë në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës në qershor të vitit 1998.
Në aktakuzë thuhet se Zajiq e kishte ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij Zastava armë, ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku, shkruan Kallxo.com
Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.