I dënuari për vrasje të dyfishtë, Luz Allaku, të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Kështu raporton gazeta Koha Ditore bazuar në informatat që i ka siguruar “nga një burim që nuk pranoi të identifikohet”.
Por, kjo konfirmohet edhe nga procesverbalet e hetuesisë lidhur me vdekjen e dyshimtë të aktivistit të LVV-së.
Luz Allaku është intervistuar më datën 10 nëntor të vitit 2016, pesë ditë pas vdekjes së Deharit, shkruan KOHA.
Asokohe, sipas dëshmisë, Allaku kishte dhomën afër asaj të Deharit. E ka konfirmuar vetë në deklaratën e tij dhënë policisë. “Unë Luzë Allakaj në lidhje me vrasjen e Astrit Deharit deklaroj: Më datë 05.11.2016, në orën 14 kemi dalë në shëtitje dhe në orën 15 jemi kthy në dhoma, që gjendeshin në korridorin e krahut A. Unë gjendesha në dhomë me Gj.K, N.Sh dhe K.G në dhomën A 6”, thuhet në procesverbalet që ka siguruar KOHA.
Allaku ishte ndër të burgosurit e parë që kanë hyrë dhe e kanë parë në dhomë Deharin.
Në dëshminë e tij të shkruar me shkrim dore, ai e ka përshkruar se në çfarë gjendje e kishte gjetur atë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore.