I dashur (i urryer) politikan, pse na vështirëson jetën edhe më shumë?

Frika nga sëmundja, vdekja, uria, nuk vije nga Kina e largët. As nga kamionët që bartin kufomat në Itali. Është mes nesh që disa javë. Në sytë e secilit kosovar, sheh trishtim. Pasiguri për jetën. Pasiguri sociale-ekonomike. Sheh frikë që muajin tjetër nuk do të paguhet, sepse firma në të cilën punon, është mbyllur. Sheh drojë se edhe nëse do të ketë ushqim në dyqan, nuk do të ketë para për ta blerë. Prandaj, mos na rëndo jetën.  

I dashur (i urryer) politikan, pse na vështirëson jetën edhe më shumë?

I dashur (i urryer) politikan!

Nuk e ke zgjedhur kohën më të mirë për të treguar fuqi, pushtet, ego, e as inat me kolegët tu të politikës. Ke zgjedhur që t’i qërosh hesapet në kohë sëmundjeje, frike, vdekje e urie.

Fatmirësisht numri i kosovarëve të prekur nga virusi Covid 19, nuk është shumë i madh. Ama, gjasat janë që të rritet. E kur, të rritet gjasat janë të kemi vdekje.

Mund të prekemi të gjithë ne nga infeksioni. Madje, t’i infektojmë të dashurit tanë. Kësisoj, mund të jemi shkaktarë që të humbim familjarët, miqtë, larg qoftë.

Frika na ka mbërthyer. Merakosemi për të moshuarit tanë. Për nënat. Baballarët. Frika, trishtimi, e vdekja na troket çdo ditë në derë. Aq shumë na është afruar, mbase në dorëz të derës, e cila shërben për t’a hapur derën e shtëpive tona, tashmë të mbyllura për mysafirë.

Gjatë këtyre ditëve kam lëvizur e punuar me kujdes të jashtëzakonshëm. Puna, ma imponon një gjë të tillë, sepse për neve gazetarëve nuk ka pushim, as rrezik edhe në gjendje kaq të rrezikshme e të jashtëzakonshme.

Në sytë e secilit që takon, sheh trishtim. Pasiguri për jetën. Pasiguri sociale-ekonomike. Sheh frikë që muajin tjetër nuk do të paguhet, sepse firma në të cilën punon është mbyllur. Sheh se edhe nëse do të ketë ushqim, nuk do të ketë para.

Koha nëpër të cilën po kalojmë, nuk na jep shumë shpresë se së shpejti do të ketë ndryshime pozitive. Të vetmit që më japin shpresë janë mjekët dhe infermierët tanë. Është dr. Valbon Krasniqi me kolegët e tij, të cilët kurrë nuk e thonë se Kosova është më e rrezikuar sesa vendet dhe popujt tjerë, ani se jemi prekur nga i njëjti virus.

Ata, pos që po na shërojnë nga virusi, po na shërojnë edhe shpirtërisht.

Mirënjohës për jetë!

Por, ti politikan i dashur (i urryer), çfarë je duke bërë?

Po e bën krejtësisht të kundërtën e asaj që duhet bërë. Po kacafytësh për pushtet. Po punon që gjendjen tonë të rënduar, ta rëndosh edhe më shumë.

Nuk e di se si e ke menduar daljen nga kjo situatë kur ke hapur front politikë me kolegun tënd për një copë karrige, një trohë pushtet, një trohë fuqi më shumë? A të ka shkuar mendja se njerëzit po kacafytën për një thes miell? A ke menduar se muajin tjetër shumica e popullatës do të ketë nevojë për ndihmë sociale? A e ke parë se si bankat ua kanë vënë lakun në fyt sipërmarrëseve që mbajnë gjallë këtë vend? A e ke parë se nuk ka boll ilaçe? A ke dëgjuar se numri i të prekurve me virus po rritet çdo ditë?

Besoj se për të gjitha këto që po i përmendi ke dëgjuar dhe ke informacion, por nuk të bëhet vonë. Sepse paga jote e majme nuk do të ndalet as në kohë krize e depresioni. Sepse ushqimin mund të ta sjellin në shtëpi. Edhe mjekët të vinë në shtëpi për të të trajtuar ty, apo familjen tënde.

Po t`i kishe hallet e brengat e qytetarëve nuk do të hapje fronte për pushtet e të shkaktoje krizë politike. Po të ishe kategori e rrezikuar do të mendoje mirë përpara se të hidhje hapin më të vogël i cili mund të shkaktojë sadopak frikë e pasiguri tek qytetarët e trishtuar.

Pushtetin ta kemi dhënë ne, nuk e ke trashëguar atë. Pse po e abuzon pra?

Sjellja jote politike për mua është më e frikshme sesa virusi Covid 19. Virusi mund të ta prek, të na sëmurë. Edhe të na vrasë. Por, një ditë do të kalojë. Por, prapa do të lë shumë dhimbje, të cilën ti politikan nuk e ke lehtësuar.

Përkundrazi.

Sot, nuk më intereson se cili ministër u shkarkua. Për çfarë arsye. Nuk më interesojnë as bisedimet me Serbinë. As raportet me perëndimin. Sepse as atyre nuk u intereson.

Sot më intereson që jetët tona të jenë më të sigurta. Ekonomia jonë të mos rrënohet. Punëtorët e sektorit privat t’i marrin pagat. Sot më intereson siguri për ushqim, në mënyrë që njerëzit të mos kacafytën për një thes miell.

Sot, më intereson të shpëtojmë gjallë.

Kurrsesi pushteti yt!

Duro derisa të kalojë kjo situatë. Duro derisa t’i kthehemi jetës, punës. Derisa të dalim sërish pa frikë jashtë shtëpisë. Pas kësaj, bëhu copa me kolegët tu.