
Një person është dërguar në paraburgim prej 30 ditësh, për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënje të ryshfetit” ndaj një zyrtari policor, njofton Insajderi.
Rasti ka ndodhur të martën e 9 marsit, në pikën kufitare në Vermicë.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prizren të enjten.
“I pandehuri R.S., me t’u afruar te sporteli i kontrollit policor, pasi ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor, në lejen e qarkullimit të automjetit e kishte futur një kartëmonedhë prej 20 € (njëzet eurosh) dhe i pandehuri i drejtohet zyrtarit policor me fjalët ‘këto të holla i kam lënë për ju, për qejf, për të pirë një kafe dhe për të më mundësuar ta kalojë kufirin meqë ndërrimi paraprak policor më ka refuzuar hyrjen’’’, ka njoftuar gjykata.
Me këtë rast i pandehuri R.S., është ndaluar nga policia ku edhe i është sekuestruar përkohësisht kartëmonedha e shumës prej 20 euro. /Insajderi.com