I dha ryshfet policit për ta kaluar kufirin, një muaj paraburgim për shtetasin shqiptar

I dha ryshfet policit për ta kaluar kufirin, një muaj paraburgim për shtetasin shqiptar

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji një shtetasi shqiptar, i cili dyshohet se i ka dhënë ryshfet prej 40 euro një zyrtari policor me qëllim që ta kalojë pikë kalimin kufitar në Vërmicë, njofton Insajderi.

Siç njofton gjykata, bashkë me të dyshuarin ishte edhe motra e tij, e cila e ka të ndaluar hyrjen në Kosovë.

“I pandehuri B.H., me datë 25 mars, në orët e mbrëmjes, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që derisa ishte duke u futur nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës duke drejtuar automjetin e tij,  si pasagjere me vete në veturë ishte edhe motra e të pandehurit, ashtu që me t’u afruar te sporteli i kontrollit policor, pasi ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor, i pandehuri B.H., në librezën e qarkullimit të automjetit në fjalë i kishte futur dy kartëmonedha prej 20 € (njëzet eurosh) kur zyrtari policor e pyet se ‘’Përse i ke futur këto para në dokumentin tuaj’’, i pandehuri i drejtohet me fjalët ‘’këto të holla i kam lënë për ju, për të pirë kafe me qëllim që t’ia mundësoni motrës sime hyrjen në Kosovë’’ – e cila pas verifikimit në data bazën policore është vërtetuar se motra e të pandehurit ende ka ndalesë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit. Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Insajderi.com