![Luan Maloku dyshohet se u plagos nga një 17-vjeçar në garazhën e shtëpisë së tij](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/12/lui-730x440.png)
Një 17-vjeçar me inicialet U.A.[emër i njohur për redaksinë], i datëlindjes 2002, dyshohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të Luan Malokut, këshilltarit politik të Fatmir Limajt, të martën rreth orës 17:00.
Siç mëson Insajderi nga burime brenda Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në garazhën e shtëpisë së Malokut në lagjen Veternik të Prishtinës.
Nga të njëjtat burime, gazeta mëson se në shtëpinë e të dyshuarit U.A., pas një kontrolli të policisë menjëherë pas raportimit të rastit, janë konfiskuar një armë e tipit Zorake, një karikatorë dhe një gëzhojë.
Në Policinë e Kosovës rasti është inicuar si “Vrasje në Tentativë”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë.
Në një njoftim për media të martën në mbrëmje, Policia e Kosovës njoftoi se Maloku është shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Gjendja e tij është stabile dhe është jashtë rrezikut për jetë”, njoftoi Policia.
Luan Maloku tash e disa vite mban pozitën e këshilltarit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limajt. Ai është edhe anëtar i Nismës Socialdemokrate. /Insajderi.com