I gjenden 15 pako municion në veturë, arrestohet një person në Vërmicë

I gjenden 15 pako municion në veturë, arrestohet një person në Vërmicë

Një person është arrestuar sot në pikën kufitare në Vërmicë, nën dyshimin për mbajtjen e 15 pakove me municion, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovë, në njoftimin e të cilës thuhet se i dyshuari është arrestuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës (municionit)”.

I dyshuari me inicialet M.B., është shtetas i Kosovës, ndërsa pas ushtrimit të kontrollit nga zyrtarët policorë dhe personeli doganor, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, njoftohet se municioni është konfiskuar në cilësi të provave materiale.

“Sot, më datë 20.04.2021 në orën 01:45, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ka ardhur një automjet me targa kosovare nga Republika e Shqipërisë, për të hyrë në Republikën e Kosovës. Automjeti të cilin e drejtonte i dyshuari (M. B.), shtetas i Republikës së Kosovës, pas regjistrimit në sistem nga zyrtarët kufitarë, automjeti është selektuar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Gjatë ushtrimit të kontrollit nga zyrtarët policorë dhe personeli doganorë, në ulësen e pasme të automjetit janë gjetur (15) pesëmbëdhjetë pako me municion (fishekë). Personi i dyshuar sipas procedurave është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit me vendimit të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa municioni është konfiskuar në cilësi të provave materiale”, bën të ditur PK në kumtesë. /Insajderi.com