I infektuar me Coronavirus, Lladrovci shtrihet në spital

I infektuar me Coronavirus, Lladrovci shtrihet në spital

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shtrirë në spital pas infektimit me Coronavirus, njofton Insajderi.

Lajmin për trajtimin e tij në Spital e ka konfirmuar edhe Drejtori i Shëndetësisë në komunën të cilën Lladrovci e drejton, Arsim Haxhiu, i cili tha se gjendja e kryetarit të Drenasit është stabile.

“Po, është në observim klinik në SHSKUK nga e mërkura. Gjendja e tij është stabile”, ka thënë Haxhiu për Expressin.

Lladrovci para 10 ditëve kishte njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19, duke bërë me dije se kishte pak temperaturë dhe se do të qëndrojë në izolim deri në shërim të plotë.

“Mora njoftimin nga IKShPK se testi im për covid-19, është pozitiv. Kam pak temperaturë, pa shenja tjera. Ndjehem mirë. Izolimi im vijon në pajtim me rekomandimet e institucioneve shëndetësore deri në shërimin e plotë. Respektoni rekomandimet e IKShPK dhe të institucioneve tjera relevante. Bartni maskën, ruani distancën, mbani higjienën!”, kishte shkruar Lladrovci. /Insajderi.com/