I kthyeri nga Haga takohet me Kadri Veselin

I kthyeri nga Haga takohet me Kadri Veselin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar ish komandantin e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, i cili para pak ditësh u intervistua në Hagë nga Gjykata Speciale.

Kreu i PDK-së, e ka vlerësuar lart qëndrimin dinjitoz të bashkëluftëtarit të tij.

“Ishte kënaqësi të pres në zyrën time, bashkëluftëtarin dhe mikun tim Remin, pas kthimit të tij nga Haga. Qëndrimi i tij dinjitoz rreth ftesës nga Gjykata Speciale, është edhe një provë më shumë për luftën tonë të drejtë çlirimtare. Ne, nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse UÇK, nga fillimi në fund, qëndroi dhe luftoi në anën e drejtësisë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Më 14 janar të këtij viti, nisi marrja në pyetje e ish-ushtarëve të UÇK-së. I pari që u intervistua në këtë datë ishte Rrustem Mustafa.

Intervistimi i Mustafës zgjati 16 orë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Megjithëse nuk tha asnjë fjalë për rastet për të cilat u pyet, ish-komandant i Remi, i ka cilësuar si “shumë serioze pyetjet”.

Pas dy ditësh, më 16 janar, për t’u intervistuar shkoi Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Drenicës, Sami Lushtaku.

Kujtojmë se pas tyre, do të intervistohet komandanti i Brigadës 124 të Rahovecit, Ismet Tara, i njohur si “komandant Hoxha”, është ftuar nga Gjykata Speciale. Tara është ftuar në cilësinë e të akuzuarit nga Gjykata Speciale për intervistë më 17 shkurt, pikërisht në ditën e pavarësisë së Kosovës.