I ofroi policit 50 euro ryshfet – arrestohet një person në kufi

I ofroi policit 50 euro ryshfet – arrestohet një person në kufi

Një person i dyshuar është arrestuar sot në pikën kufitare ‘Vërmicë’ midis Kosovës e Shqipërisë, meqë ka tentuar t’i japë ryshfet policisë kufitare, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, të cilët në një komunikatë për media kanë treguar për rastin, ku thuhet se i dyshuari është shtetas i Shqipërisë, ndërkaq në dokumentet që ua prezanton policisë kufitae, ka futur 50 euro.

“Zyrtari policor kërkon të dijë pse janë këto të holla në dokumente dhe i dyshuari kërkon të mos i regjistrohet në hyrje prindi i tij D.T., kurse parat janë ‘për nga një kafe’”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë kontrollit në sistem, policia vëren se D.T., kishte ndalesë hyrje për pesë vite në Republikën e Kosovës.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor PKK Vërmicë, është njoftuar prokurori kujdestar dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘dhënia e ryshfetit’.

Rasti është proceduar në procedurë të rregullt, kurse pasaporta dhe kartëmonedha prej 50 euro, janë konfiskuar. I dyshuari është urdhëruar që më, 21.12.2020, të paraqitet në Prokurorinë e Prizrenit. /Insajderi.com