I përzgjedhuri i Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të ARKEP ishte hetuar për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” e “Falsifikim të dokumenteve”

I përzgjedhuri i Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të ARKEP ishte hetuar për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” e “Falsifikim të dokumenteve”

Ndaj të propozuarit të Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi, është ngritur një kallëzim penal në tetor të vitit 2018 për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” dhe për “Falsifikim të dokumenteve”.

Sot Komisioni funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pritet të procedojë me pikat e rendit të ditës, ku pika e dytë do të jetë miratimi i vendimit të Qeverisë për Bordin e ri të ARKEP.

Kallëzimi penal, i cili është ngritur nga anëtari i Bordit të këtij institucioni, Shqiprim Pula, para rreth tri vitesh, përbën prova materiale në të cilat hyjnë disa shkresa elektronike të adresuara ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në krye të së cilës atëkohë ishte Valdrin Lluka, e shkresa elektronike adresuar komisionit funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi e Tregti.

 

Pala e cila ka ngritur kallëzim penal ndaj personit që prinë listën e të propozuarve për anëtarë të Bordit në ARKEP, thotë për Gazetën Online Insajderi se nuk është njoftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me vazhdimësinë e procedurës penale apo edhe të përfundimit të këtij procesi.

Por, ndryshe nga ai, Ministria e Ekonomisë e dokumenton që personi i apostrofuar nuk është dënuar për vepër penale dhe se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale.

“Kallëzimi penal i ushtruar ndaj z. Nazim Rahimi është hedhur poshtë nga Prokuroria si i pabazuar dhe ndaj tij nuk është zhvilluar asnjë procedurë penale. Z. Rahimi ka dorëzuar certifikatën e gjendjes penale e cila dëshmon se ai nuk është dënuar për vepër penale dhe se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Insajderin.

Ndonëse Komisioni ka kërkuar nga kjo ministri që të dorëzojë dokumentacionin që tregon se të propozuarit nuk kanë problem me ligjin, gjatë javës së kaluar në këtë komision është dërguar vetëm CV-ja e të propozuarve.

Këtë për redaksinë e thotë kryetari i Komisionit, Ferat Shala, i cili shprehet se ajo listë i është kthyer ministrisë meqë ishte e pakompletuar.

I pyetur nëse janë në dijeni për një kallëzim penal të ngritur ndaj pretendentit për kryetar të Bordit, Shala thotë se nuk kanë informacion për një çështje të tillë, por që presin nga ekzekutivi të dërgohet lënda e kompletuar për të proceduar tutje.

“Në mbledhjen e kaluar e kemi kthyer listën sepse ka qenë e pakompletuar sa i përket asaj që kërkohet me ligj. Ne javën e kaluar ia kemi kthyer vendimin Qeverisë, sepse Qeveria përveç CV-së së kandidatëve nuk ka sjellë asnjë dokumentacion që kërkohet sipas ligjit, pra nuk ka dhënë dëshmi për përvojën e punës, nuk ka dhënë dëshmi që ata nuk kanë konflikte të interesit, nuk ka dhënë dëshmi që kanë ndonjë problem me ligjin që kanë apo nuk kanë, kështu që ne nuk kemi pasur informacion të bollshëm sipas ligjit dhe e kemi kthyer te Qeveria që ajo ta kompletojë dosjen e kandidatëve”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk jemi në dijeni për një kallëzim penal ndaj z.Rrahimi, por ne kemi kërkuar që të kompletohet landa, nuk është ardhë e kompletuar, e kemi kthyer vendimin, këtë që po e thoni ju unë nuk kam asnjë informacion as të shkruar as të dëgjuar”, shtoi ai.

Redaksia ka kërkuar përgjigje edhe nga ana e Ministrisë së Ekonomisë se pse dokumentacioni i kërkuar nga Komisioni nuk është dërguar i kompletuar dhe nëse lidhet me kallëzimin penal, nga ky dikaster thonë se “në mbledhjen e datës 18 maj 2021, Komisioni ka kërkuar që në mbledhjen e radhës Ministria e Ekonomisë të dorëzojë dokumentacionin shtesë. Sipas kësaj kërkese, sot (24 maj 2021) Ministria e Ekonomisë e ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Pra, tamam në kohë për mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet këtë javë”.

Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë dhe personalisht me Rahimin, për t’i pyetur se kur janë mbyllur hetimet ndaj këtij të fundit, por që asnjëra palë nuk kanë qenë të qasshëm.

Në fund të muajit prill, kabineti qeveritar ka mbajtur mbledhje në të cilën ka emëruar Bordin e ri të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, duke e shfuqizuar vendimin e mëhershëm të Qeverisë Hoti.

Siç kishte bërë të ditur kryeministri Kurti në këtë mbledhje, arsyeja për këtë emërim të ri të Bordit të ARKEP ishte mosplotësimi i kuotës gjinore.

“Së pari, anuluam vendimin e qeverisë së kaluar për propozimin që i ka bërë Kuvendit me emrat e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të këtij bordi me datë 7.12.2020. Vendimi paraprak u shfuqizua për shkak se përbërja e bordit nuk respektoi kuotën e nevojshme gjinore, që përcaktohet me Ligjin për Barazi Gjinore”, ishte shprehur ai.

Lista që është miratuar nga kabineti qeveritar dhe e cila pritet të dërgohet në Kuvend përbëhet nga: Nazim Rahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar.

Emri i dytë që përbën këtë listë pas Rahimit – Lule Ahmedi – njëherësh punon edhe si profesoreshë universitare.

Bazuar në Ligjin për Komunikime Elektronike, nuk lejohet të punohet në dy pozita të cilat kërkojnë orar të rregullt pune.

Kryetari i Komisionit, i cili është në dijeni për këtë pozitë të Ahmedit, thotë se meqë ende nuk është proceduar asgjë sipas rregullave dhe për çështjen e universitetit, ende nuk dihet se çfarë vendimi mund të marrin anëtarët e Bordit në rast se miratohet lista.

“Ligji e thotë saktë që duhet të ndërprejë marrëdhënien e punës, por pasi që të emërohet, kandidatja ose kandidati do të marrin vendimin konform ligjit pasi të zgjedhet”, ka thënë Shala. /Insajderi.com