Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve policorë, B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., pasi që dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje” dhe “lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, pëcjell Insajderi.com.
Sipas aktakuzës, më 4 shkurt në Gjakovë, të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, kanë keqpërdorur autorizimet e tyre duke keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë personin tjetër, të dëmtuarin, B.B.
Në aktakuzë thuhet se atë ditë pasi të pandehurit e vërejnë se i dëmtuari nuk iu kishte përmbajtur sinjalizuesit të semaforit, i vihen pas me veturën zyrtare, ku i dëmtuari së pari nuk ndalet, por pas një kohe ndalon dhe del nga vetura ku iu kërkon falje zyrtarëve policorë dhe iu thotë se është i sëmurë.
Kështu, njëri nga policët menjëherë e godet atë me grusht në kokë duke e rrëzuar në tokë dhe më pas të gjithë fillojnë ta godasin me grushte e shqelma në kokë e pjesë të ndryshme të trupit.
“Gjithashtu, me datë, kohë e vend të njëjtë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, me dashje i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor, të dëmtuarit B.B., duke e goditur së pari në kokë, ku pas rrëzimit në tokë e kanë goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndrydhje të indeve të buta të kraharorit, thyerje të brinjëve, gjakderdhje nen lëkurorë në regjionin e veshit e të nofullës, e dëmtime të tjera të përshkruara në ekspertizën mjeko ligjore të grupit të ekspertëve”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë./Insajderi.com