I shkruajti letër duke i bërë një propozim – Haradinaj i përgjigjet Lajçakut

I shkruajti letër duke i bërë një propozim – Haradinaj i përgjigjet Lajçakut

Ish -kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka shkruar një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Haradinaj, ka thënë se propozimi i Lajçakut për të biseduar ne telefon me të është i panevojshëm, përcjell Insajderi.

Sipas tij, qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë,

Përmes kësaj letre i kam përcjellur Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për Dialogun, Miroslav Lajçak, qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

RH

Letra ka përmbajtjen si në vijim:

I nderuar Z. Lajcak,

Dëshiroj të ju falënderoj për letrën tuaj të datës 9 prill 2020, si dhe për propozimin për një bisedë telefonike me kërkesë të Përfaqësuesve Specialë të Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh rrethanat e paqarta politike, besoj se një thirrje telefonike do të ishte e panevojshme.

Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund.

Megjithatë, Kosova e ka mirëpritur rolin e Kancelares Angela Merkel dhe të Presidentit Emmanuel Macron për t’u angazhuar personalisht në marrëveshjen gjithëpërfshirësë ligjërisht obligative.

Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me dedikimin e energjisë se re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, prej një dekade, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive./Insajderi.com

Fotografia e Ramush Haradinaj