“Ia mbyllën diskotekën” – Sulmohet fizikisht drejtori i Inspekcionit në Pejë

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Pejës, Leotrim Murtezaj, dyshohet se është sulmuar fizikisht nga pronari i “Arthur’s Club”, Ardian Qelaj.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Murtezaj, e ka konfirmuar këtë ngjarje, duke dhënë detaje se si ka ndodhur ajo.

Ai thotë se sulmi fizik ndaj tij dhe një inspektori të ndërtimit, në Komunën e Pejës, ka ndodhur për shkak të punës zyrtare të tyre.Kjo pasi që, Murtezaj thotë se është sulmuar nga Ardian Qelaj, vetëm pse Komuna e Pejës, kishte marrë vendim që t’i mbyllë të gjitha diskotekat në qendër të qytetit, ku ky i fundit, ishte pronar i diskotekës “Arthur’s Club”.

Shefi i inspektorëve të Pejës, thotë se Ardian Qelaj, e sulmoi një inspektor tjetër të ndërtimit, për shkak të rrënimeve që u ishin bërë disa ndërtesave, që Myrtezaj thotë se Qelaj i ka bërë pa leje ndërtimore nga Komuna.

“Unë jam sulmuar dhe një inspektor i ndërtimit që ka qenë me mua. Ky sulm ka ndodhur si rezultat i paknaqësive që i kemi pasur më herët me ata persona, konkretisht me njërin prej tyre, i cili është pronar i diskotës “Arthur’s Club”, këtu në Pejë. Më herët ishte marrur një vendim nga Komuna që mos të ketë diskoteka në zona të banuara. Diskoteka nuk ka funksionuar për shkak të atij vendimi. Po ashtu më herët kanë pasur probleme edhe me inspektorë të ndërtimit, si pasojë e ndërtimeve paleje që i kanë ndërtuar. Kështu që atë mllefin e tyre që e kanë pasur, mbrëmë e shfaqën, ku na sulmuan mbrëmë, së bashku me inspektorin e ndërtimit, na sulmuan fizikisht, ku ri rezultat i asaj, kemi marrë tretman mjekësor. Personat janë ende në arrati, nuk ka arritur që t’i arrestojnë. Ardian Qelaj, është njëri prej pronarëve të asaj diskoteke, ku së bashku me një person tjetër na sulmuan fizikisht”, ka thënë Murtezaj.

Ani pse nuk shprehet i sigurtë në këtë që po e thotë, Myrtezaj potencon që pronari i “Arthur’s Club”, Ardian Qelaj, mund të jetë i implikuar në dy raste të tjera kundër tyre, teksa para pak kohësh, veturave të inspektoriatit komunal, u ishin shpuar gomat me thikë.

“Kemi pasur probleme në të kaluerën, por kërcënime direkte më herët s’kemi marrur. Që dy herë është duke ndodhur që me thikë shpohen gomat e veturave të inspenksionit. Me rastin e mbrëmshit mua po më lidhet dhe po mendoj që edhe këtë rast e kanë kryer këta persona. Tash po paragjykoj, mirëpo po më lidhen gjërat që edhe këtë veprim, e kanë bërë këta persona”, ka thënë Murtezaj.

Sipas Myrtezajt, të dy sulmuesit, gjenden ende në arrati dhe tashmë rasti është hapur në Polici, të cilët nuk kanë mundur ta bëjnë arrestimin e tyre.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktojë me zyrtarë policorë në Pejë, por që komunikimi me ta ka qenë i pamundur, ashtu siç nuk kemi arritur të flasim as me Ardian Qelajn.

Në një njoftim në faqen zyrtare të diskotekës “Arthur’s Club”, të bërë më 25 korrik të këtij viti, njoftohen klientët që do të mbyllet diskoteka, duke treguar arsyen.

Në të thuhet se për shkak të vendimit të Komunës së Pejës, kjo diskotekë nuk do të funksionojë.