Ibrahimi: Kontrata kolektive në arsim s’mund të zbatohet në kurriz të buxheteve komunale

Ibrahimi: Kontrata kolektive në arsim s’mund të zbatohet në kurriz të buxheteve komunale

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi deklaroi se kontrata kolektive në arsim nuk do të mund të zbatohet më në kurriz të buxheteve komunale.

Për këtë çështje Ibrahimi ishte takuar të martën me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ibrahimi tutje tha se për zbatimin e kësaj kontrate fillimisht duhet të gjenden mjetet financiare.

“Qëndrimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është se kjo kontratë nuk do të mund të gjejë zbatim në kurriz të buxheteve komunale ashtu siç ka ndodh deri më tani, mirëpo zbatimi i saj duhet të bëhet që së pari të gjinden mjetet financiare dhe pastaj të fillohet së zbatuari”, potencoi ai për EO.

Ibrahimi tutje shtoi se kryetarët e komunave nuk janë kundër kontratës kolektive, mirëpo sipas tij, ministritë e linjës i kanë nënshkruar këto kontrata pa konsulta paraprake me komunat dhe gjithnjë ja kanë adresuar buxhetin atyre.

“Komunave janë duke iu marrë miliona euro përmes procedurave të përmbarimit sepse nuk është bërë një planifikim adekuat nga niveli qendror sa i përket zbatimit të kësaj kontrate”.

Për Ibrahimin kurdo që nënshkruhet kjo kontratë Asociacioni duhet të jetë partnerë.

“SBAShKU edhe ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë në çdo mënyrë që zbatimi i kontratave kolektive të bëhet duke i gjetur mjetet financiare pikë së pari dhe pastaj të bëhet zbatimi i tyre. Ne i mbrojmë interesat e komunave, SBAShKU lobon dhe i mbron interesat e mësimdhënësve”./Insajderi.com