Ibrahimi: Kosova del humbëse në mini-Schengen nëse s’mbron ekonominë e vet

Ibrahimi: Kosova del humbëse në mini-Schengen nëse s’mbron ekonominë e vet

Analisti kosovar, Ilir Ibrahimi, ka thënë se nëse Kosova nuk është e përgatitur mirë për mini-Schengenin Ballkanik do të dalë humbëse nga ky proces, transmeton Insajderi.

Këtë Ibrahimi e tha në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, duke shtuar se deri më tani asnjëherë nuk është sqaruar mirë se çfarë përmban “Mini-Schengeni Ballkanik”, dhe se qëndrimet e politikanëve në Kosovë sa i përket kësaj zone ekonomike nuk kanë qenë asnjëherë të bazuara diku.

“Mini shengeni asnjëherë nuk është sqaruar çka përmban për rajonin. Ka pasë deklarata nga politikanët duke u bazuar nga kundërshtitë e tyre në luftën e tyre politike dhe jo të bazuara në atë se e kundërshtojnë një projekt apo diçka konkret. Në Kosovë deri tani nuk e kemi dëgjuar dikë të flasë me një arsye se pse është për dhe kundër këtij projekti”.

“Integrimet rajonale janë të mira për ekonominë e vendit, jemi në një botë të globalizuar dhe duhet t’i përkrahim këto lloj integrimesh, duke u nisur nga përvojat e tona sa i përket të kaluarës duke parë punën tonë në CEFTA, unë kam frikë se ne nuk jemi të gatshëm të futemi në një integrim të tillë”.

“Sepse ne nuk i shohim gjërat seriozisht, nuk e shohim interesin tonë dhe nuk e shohim ta mbrojmë atë interes sa më mirë që mundemi”.

“Unë e kam përkrahur procesin e Mini Shengenit si një mundësi e integrimit të rajonit dhe të tejkalimit të barrierave politike që i kemi në rajon. Mirëpo, me një kusht shumë të rëndësishëm në këtë proces Kosova duhet të jetë e qartë dhe të gjejë një mënyrë që të mbrojë interesat e ekonomisë së vet dhe të kompanive të saj”.

“Kjo mbrojtje do të arrihej nëse ata ulen në një tavolinë dhe bisedojnë me ekspertët e ekonomisë, nëse kjo nuk bëhet atëherë Kosova është humbëse sa i përket këtij procesi”, ka thënë Ibrahimi. /Insajderi.com