Policia e Kosovës ka arrestuar sot Nazmi Begen nën dyshimin për veprën penale fajde dhe shpëlarje par" />

Identifikohet i arrestuari sot në Ferizaj, dikur i akuzuar për vrasje në tentativë

Identifikohet i arrestuari sot në Ferizaj, dikur i akuzuar për vrasje në tentativë

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Nazmi Begen nën dyshimin për veprën penale fajde dhe shpëlarje parash.

Bega nuk është emër i panjohur për policinë.

Ai ishte arrestuar e akuzuar vite më parë për veprën vrasje në tentativë.

Sipas aktakuzës, në vitin 2015 Nazmi Bega, ishte përleshur me Edison Bytyçin për një borxh rreth 5 mijë eurosh në parkingun e një marketi në Ferizaj, ku ky i fundit kishtë përfunduar me disa goditje në fytyrë dhe në trup.

Për këtë rast, Gjykata e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Begen për vrasje në tentativë duke i shqiptuar tri vite burgim.

Por, Gjykata e Apelit, më 15 prill 2016, kishte nxjerrë aktvendim për anulimin e atij aktgjykimi, duke e rikthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se janë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 pika 6,7 të KPP-së.

Ndërkaq, edhe pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 20 prill 2017, përsëri e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Nazmi Bega, duke e dënuar me tre vjet burgim, ku në dënim do t’i llogaritej koha e kaluar në paraburgim prej 16.09.2015 deri më datën 09.12.2015.

Tutje, edhe ky aktgjykim  i Gjykatës Themelore të Ferizajt, me aprovimin e ankesës së të akuzuarit Bega dhe mbrojtësit të tij, ishte anuluar nga Gjykata e Apelit, më 14 gusht 2017, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Pas arrestimit të sotëm të Begës për veprat penale fajde dhe shpëlarje parash, me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Insajderi.com/