Gazetari nga Kosova që punon në Beograd, Idro Seferi, ka thënë se ende nuk ka reagime zyrtare në Serbi lidhur me zhvillimet e sotme të Gjykatës Speciale, nga ku u konfirmua aktakuza për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Insajderi.
Seferi ka thënë se konfirmimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale janë përcjellë me shumë interes në Serbi, por që nuk ka pasur reagime zyrtare nga zyrtarët e shtetit.
“Është një lajm me mjaft interes në Serbi, pasi që me këto aktakuza për Serbinë do të ulet së paku një pozicion i shqiptarëve në Kosovë. Nuk ka pasë reagime zyrtare nga zyrtarët e shtetit dhe as në atë kohë kur është përmendur aktakuza ndaj presidentit Thaçi”.
“Këtë formë duket që ka zgjedhur qeveria e Serbisë, të paktën në aspektin politik, të dalë si pozitive ose të mos marrë pjesë në atë që po ndodhë në Kosovë, në këtë formë por duke ndjekur paralelisht me mjaft interes. Dihet, që i janë ofruar Gjykatës shumë dokumente nga Serbia. Ajo që ishte ndoshta më interesantja sot është që Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Beograd e ka konfirmuar që ajo edhe më tutje do t’i ndjekë Thaçin, Veselin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së , në akuza që ata i kanë në prokurorinë e Serbisë”, ka thënë Seferi në ‘Speciale’ të Klan Kosovës.
Ai tutje ka shtuar se siç raportojnë mediet atje, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë, mirëpo është pritur që të ketë ndikim largimi i disa figurave kryesore nga Kosova.
“Një atmosferë e tillë në Serbi, është ndjekur mjaft shumë. Mediat thonë që dialogu mund të vazhdojë, por presin që të kenë një lloj ndikimi largimi i disa personazheve kryesore nga Kosova. Kjo ka qenë mënyra se si është ndjekur deri tani në Serbi”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com