Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj zhvillimeve në çështjen penale të të akuzuarit Shaban Gogaj për vrasjen e Agonis Tetajt para dy vitesh, ku në seancën që është mabjtur më 16 mars të këtij viti, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në vrasje nga pakujdesia, transmeton Insajderi.
Ky institut ka kërkuar që Kryeprokurori i Shtetit të ndërmarrë masa adekuate ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërgutit.
IKD kërkon që ndaj Dërgutit të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore për shkak të vendimit që kishte marrë që lënda të përjashtohet nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe e njëjta të delegohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
“Ky vendim i Prokurorisë së Apelit për të vendosur për përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë është i pabazuar në ligj, pasi kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, nuk ka asnjë kompetencë që të vendos lidhur me përjashtimin e prokurorëve të shkallës së parë”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ndjekur me shqetësim mënyrën se si është zhvilluar çështja penale në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë, në qershor 2019 kishte ngritur aktakuzë nga të akuzuarit Gogaj për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Aktakuza në fjalë ishte ngritur nga prokurorja e krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Sahide Gashi.
Ende pa u mbajtur asnjë seancë për këtë rast, mbrojtja e të akuzuarit Gogaj kishte parashtruar kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores së çështjes Sahide Gashi, me pretendimin se me ngritjen e kësaj aktakuze pa bazë të fortë ligjore ka bërë shkelje disiplinore të cekura në këtë kërkesë. Kjo kërkesë e mbrojtjes ishte hudhur poshtë nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.
Pas kësaj, mbrojtja i ishte drejtuar Prokurorisë së Apelit, që Prokuroria Themelore në Pejë të përjashtohet nga trajtimi i këtij rasti.
Duke vendosur lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit, Prokuroria e Apelit, me datën 9 gusht 2019 kishte marrë vendim që Prokuroria Themelore në Pejë, të përjashtohet nga kjo çështje penale dhe e njëjta ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për trajtim të mëtejmë.
Lidhur me arsyet e këtij përjashtimi, ish-kryeprokurori Haxhi Dërguti kishte thënë për “Betimi për Drejtësi” se Prokuroria e Pejës kishte treguar njëanshmëri.
“Pas shikimit të shkresave të lëndës duke u bazuar në kërkesën e avokatit të pandehurit kemi ardhur në përfundim se kërkesa e mbrojtësit është e bazuar, sepse Prokuroria e Pejës ka treguar njëanshmëri dhe për të evituar çdo anshmëri për të siguruar gjykim të drejtë kemi caktuar Prokurorinë Themelore të Gjilanit për përfaqësim në këtë rast”, kishte thënë për “Betimi për Drejtësi”, ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti.
Po ashtu, përkundër se kemi një vendim të tillë, ndaj prokurores Gashi nuk ishte iniciuar asnjëherë, kurrfarë procedurë disiplinore lidhur me këto pretendime të dhëna në vendimin e Prokurorisë së Apelit.
Pas vendimit të Prokurorisë së Apelit, lënda ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjilan, përkatësisht tek prokurori Agron Uka. Ky i fundit, më 16 mars 2021, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj Gogajt, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Ky vendim i Prokurorisë së Apelit për të vendosur për përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë është i pabazuar në ligj, pasi kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, nuk ka asnjë kompetencë që të vendos lidhur me përjashtimin e prokurorëve të shkallës së parë.
Kodi i Procedurës Penale, në nenin 44, paragrafin 3, përcakton se Kryeprokurori i zyrës vendos mbi përjashtimin e prokurorit të shtetit të zyrës së tij. Në këtë rast, lidhur me përjashtimin e prokurores Gashi nga rasti në fjalë, autoritet kompetent ka qenë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, porse, i njëjti e kishte refuzuar një kërkesë të tillë të mbrojtjes së të akuzuarit.
Neni 44.3 i Kodit të Procedurës Penale, thekson po ashtu se, është Kryeprokurori i Shtetit ai i cili jep vendimin përfundimtar mbi përjashtimin e një prokurori të shtetit sipas këtij paragrafi. Çdo vendim nga ky paragraf duhet të jetë me shkrim dhe i dorëzohet prokurorit të shtetit në fjalë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në rastin konkret, sipas përgjigjeve të ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti dhe të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, për përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë kishte vendosur pikërisht Prokuroria e Apelit e jo Kryeprokurori i Shtetit siç kërkohet me ligj.
Kryeprokurori i Apelit, sipas Kodit të Procedurës Penale, mund të vendos lidhur me përjashtimin vetëm të prokurorëve që janë pjesë e Prokurorisë së Apelit. Ndërsa, duke qenë se prokurorja Gashi nuk kishte qenë pjesë e Prokurorisë së Apelit, atëherë, sipas Kodit, kryeprokurori i atëhershëm i Apelit, Haxhi Dërguti nuk kishte pasur asnjë kompetencë që të vendos për përjashtimin e saj nga kjo çështje penale.
Për më tepër, as Ligji për Prokurorin e Shtetit në asnjë dispozitë të tij kur flet për Prokurorinë e Apelit, nuk i jep kompetencë kësaj prokurorie e as kryeprokurorit, që të vendos për përjashtimin e prokurorëve të shkallës së parë apo të delegimit të lëndëve nga një prokurori themelore tek një tjetër.
Ligji për Prokurorin e Shtetit i jep kompetencë ekskluzive Kryeprokurorit të Shtetit që të mund të marrë në kompetencë secilën lëndë në secilën prokurori të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.
Sipas këtij ligji, secili Kryeprokuror mund të ndërmarrë funksionet e ndjekjes penale të cilat i janë caktuar një prokurori vartës të shtetit në atë prokurori dhe nga ai apo ajo mund të marrë përsipër zhvillimin e drejtpërdrejtë të hetimeve apo të procedurës penale, me pëlqimin paraprak të Kryeprokurorit të Shtetit.
Pra në rastin konkret, rastin nga prokurorja Gashi ka mundur potencialisht ta marrë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, me pëlqim të kryeprokurorit të shtetit, apo edhe vet Kryeprokurori i Shteti, por assesi kryeprokurori i Apelit.
Ish-kryeprokurori Dërguti, ka një përvojë mbi 30 vjeçare në sistemin prokurorial dhe gjyqësor dhe bërja e një shkelje të tillë nga ai, nuk mund të nënkuptohet se ka ardhur për shkak të mos njohurive apo mos njohjes së ligjit nga ana e tij.
Për më tepër, me këtë veprim të tij, është dëmtuar edhe imazhi dhe integriteti i sistemit prokurorial në përgjithësi, dhe në veçanti i Prokurorisë Themelore në Pejë të cilës i ishte marrë ky rast për shkak të pretendimeve që e njëjta kishte qenë e njëanshme.
IKD vlerëson se vetëm adresimi i plotë i llogaridhënies ndaj të gjithë akterëve të përfshirë në këtë rast e kthen ligjshmërinë dhe besimin e publikut lidhur me trajtimin e këtij rasti.
Andaj, bazuar në të gjitha këto, IKD kërkon që ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore për shkak të mënyrës së kundërligjshme me të cilin ish-kryeprokurori Dërguti kishte vendosur që nga kjo lëndë të përjashtohet Prokuroria Themelore në Pejë dhe e njëjta të delegohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Me një veprim të tillë, Dërguti i kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore, pasi që të njëjtat, nuk i japin asnjë mundësi Prokurorisë së Apelit që të vendosë lidhur me përjashtim të prokurorive themelore. /Insajderi.com