IKD: Nisma me dy kandidatë me vepra penale të formës së prerë

IKD: Nisma me dy kandidatë me vepra penale të formës së prerë

Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021, njofton Insajderi.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se dy (2) prej tyre janë të dënuar aktgjykim të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, njëri për veprën penale “Përdorim i armës” i dënuar me 2400 euro gjobe dhe tjetri me gjashtë (6) muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Po ashtu, njëri prej kandidatëve të dënuar në listën e Nismës Socialdemokrate ka një aktakuzë aktive për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, i cili rast me pajtimin e palëve ka shkuar në ndërmjetësim.

Duke qenë se IKD është e vetmja organizatë, e cila monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve në sistemin e drejtësisë, në vazhdim pasqyron në mënyrë detajuar, të gjitha informacionet për këta kandidatë të Nismës Socialdemokrate.

IKD vazhdimisht ka avokuar për dekriminalizimin e skenës politike, duke kërkuar nga partitë politike që të ngrisin integritetin e listave zgjedhore me kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin.

IKD thekson se të dhënat janë mbledhur nga monitorimi sistematik i seancave gjyqësore publike. Pra, ka mundësi, sikurse ka ndodhur në praktikën gjyqësore, që të ketë aktakuza të ngritura ndaj politikanëve të caktuar, që mund të jenë në këto lista, por të cilat nuk janë bërë publike ende.

IKD thekson se do të hulumtojë edhe ditët në vazhdim, për të kompletuar secilin informacion mbi secilin kandidatë që gjendet në listat zgjedhore.

Po ashtu ky institut thotë se do të publikojë të dhënat e te gjithë kandidatëve që janë në listat zgjedhore të të gjitha partive politike dhe koalicioneve, duke u bazuar në të dhënat e monitorimit nga sistemi i drejtësisë./Insajderi.com