IKD propozon krijimin e një prokurorie që do të udhëhiqej nga ndërkombëtarët

IKD propozon krijimin e një prokurorie që do të udhëhiqej nga ndërkombëtarët

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin që mund të luftojë korrupsionin, e që është hartuar mbi bazën e gjetjeve nga analiza rreth ndikimit të politikës ne sistemin e drejtësisë, titulluar “Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës”, nga ku del se problemi kryesor është ndikimi i sistemit politik në sistemin e drejtësisë.

Drejtori i IKD-së, Betim Musliu ka thënë se si zgjidhje më e mirë në luftën kundër korrupsionit do të ishte themelimi i një prokurorie apo gjykate të pavarur totalisht nga politika në Kosovë.

“Ne kemi ardhur në përfundim se duhet të themelohet një Gjykatë për të luftuar krimin e organizuar dhe e gjithë puna në këtë gjykatë do të duhej të bëhej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Ky model është duke shënuar rezultate konkrete në Maqedoni”, tha ai përderisa shtoi se kjo prokurori do të mund të ndante tre kapituj, krimit të organizuar, të korrupsionit zyrtar dhe të krimit administrativ.

Ai ka potencuar se në Kosovë asnjëherë nuk ka munguar retorika për luftën kundër korrupsionit, por është shprehur se nuk ka rezultate konkrete.

“Përpjekjet për luftën kundër korrupsionit përmes aktakuzave, më tepër po dëshmohen si arsyetim para publikut dhe faktorit ndërkombëtar se korrupsioni në Kosovë po luftohet, ndërsa IKD ka gjetur se në shumë raste të profilit të lartë, prokuroria ka ngritur aktakuza, të cilat janë refuzuar nga gjykata në raste të caktuara qysh në seancën e shqyrtimit të parë. Pasurimi i politikanëve, nuk ka rezultat konkret në drejtim të sekuestrimit të tyre. Sistemi i drejtësisë është i ndikuar, është i kapur, sepse asnjë nga pozitat e larta nuk mund të zgjidhet pa pasur ndikim të politikës. Fatkeqësisht edhe Policia rezulton të udhëheq vet prokurorinë, pasi që Prokuroria nuk mund të marr vendime ndryshe nga ato të Policisë”, tha ai.

Ndërsa shtoi se besueshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve është vetëm 15 për qind.